Menaxhimi i Integruar i Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri – një cikël i pafund, që do të vazhdojë përtej programit SEEAM

Pjesëmarrës në fund të workshopit të 2-të të projektit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”, organizuar në shkurt 2020 në Tiranë, Shqipëri
Foto nga SHUKALB

Në korrik 2022, SHUKALB finalizoi me sukses zbatimin e projektit 3-vjeçar “Menaxhimit të Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime (UK) në Shqipëri”, i cili iu ofrua shoqërive UK në Shqipëri në kuadër të Programit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve në Kompanitë e Ujit në Evropën Juglindore (SEEAM)”. Projekti u zbatua nga SHUKALB dhe Hydro-Comp Enterprise si partner teknik, dhe u mbështet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – GIZ ORF dhe Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).

Përgjatë këtyre 3 viteve të projektit, 21 Shoqëri UK në Shqipëri ka qenë pjesë e programit SEEAM duke pasur mundësinë të njihet me procedurat dhe praktikat e integruara të menaxhimit të aseteve për të përmirësuar cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimeve dhe për të forcuar performancën e përgjithshme të biznesit të shoqërisë.

Elvis Ndreka, Inxhinier i Sistemit EDAMS, Mario Grabocka, Inxhinier Mjedisi dhe Niko Shumka, Inxhinier IT, gjatë vizitës në shoqërinë UK Korcë, shtator 2020
Foto nga SHUKALB

hoqëritë UK pjesëmarrëse në program ishin Berat – Kuçovë, Cerrik, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Gramsh, Himarë, Kamëz, Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Lushnje, Maliq, Peqin, Përmet, Pogradec, Sarandë, Shkodër, Tirana dhe Vlora, të cilat mbulojnë me shërbime ujësjellës dhe kanalzime më shumë se 70% të popullsisë në Shqipëri. 10 nga 21 shoqëri UK patën mundësinë të ndiqnin të tre fazat e programit, Fazën e Argjendtë, duke punuar në GIS/menaxhimin e të dhënave në rrjet, Fazën e Artë për menaxhimin e mirëmbajtjes dhe Fazën Platinum, një fazë kjo më e avancuar në të cilën shoqëritë kishin mundësinë për të përmirësuar dhe punuar në menaxhimin e temave specifike të tilla si të dhënat komerciale, uji pa të ardhura, cilësia e ujit, planifikimi i rehabilitimit dhe planifikimi i infrastrukturës. 7 nga 21 shoqëri UK ndoqën Fazën e Argjendtë dhe të Artë, 1 shoqëri UK është në fazën e Argjendtë, ndërsa 3 prej tyre u larguan nga projekti përgjatë viteve.

Fatjon Pilinci, Inxhinier IT dhe Belina Belortaja, Konsulente e GIS, gjatë vizitës në shoqërinë UK Pogradec, shtator 2020
Foto nga SHUKALB

Përpara projektit, shumica e shoqërive UK nuk kishin një regjistër të aseteve të rrjetit të gjeoreferencuar  dhe asnjë prej tyre nuk përdorte dhe kishte softuer kompjuterik për menaxhimin e aseteve.Gjatë periudhës së zbatimit të projektit, janë ofruar disa trajnime për stafin e shoqërive duke trajtuar të gjitha aspektet e menaxhimit të aseteve si dhe përdorimin e softuerit EDAMS, në të cilin bazohet programi i Menaxhimit të Aseteve. Gjithashtu, konsultime dhe asistencë shtesë për ngritjen e kapaciteteve të stafit është dhënë gjatë vizitave në terren nga ekipi i ekspertëve të SHUKALB për stafin e shoqërive.

Gjatë projektit shoqëritë kanë siguruar një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse për asetet ekzistuese dhe një hartë sistematike të të gjitha aseteve me të dhëna faktike dhe të besueshme dhe referenca gjeografike. 7 shoqëri UK kanë regjistruar pothuajse 90% – 95% të rrjetit të ujësjellësit, 8 shoqëri UK kanë regjistruar  50% – 75% dhe 3 shoqëri UK kanë regjistruar më pak se 30% të totalit të rrjetit të ujësjellësit. Në lidhje me aktivitetet e menaxhimit të mirëmbajtjes (Faza e Artë), pak shoqëri UK po praktikojnë procedurat dhe përfitojnë nga programi, të tjerët janë ende në proces regjistrimi të të dhënave.

SHUKALB së bashku me partnerin teknik Hydro-Comp Enterprise do të vazhdojnë të ofrojnë këtë shërbim për shoqëritë UK në Shqipëri, përtej programit SEEAM. Gjithashtu, SHUKALB është në dijeni dhe do të përshtasë cdo veprim apo aktivitet duke marrë parasysh situatën me ndryshimet e fundit dhe reformën e re të sektorit të ujit në Shqipëri, të formimit të 15 Shoqërive Rajonale.

SHUKALB fton të gjitha Shoqëritë UK t’i bashkohen programit dhe të përfitojnë prej tij!

Një pamje nga softueri EDAMS
Foto nga SHUKALB