Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë ndërmerr fushatën “Përditëso të dhënat e tua”

Postera informues mbi përditësimin e të dhënave të klientëve, të vendosur pranë pikave të pagesave të faturave të ujit në qyetin e Korçës
Foto nga UK Korçë

“Përditëso të dhënat e tua” përfaqëson një fushatë ndërgjegjësuese të ndërmarrë së fundmi nga Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë (UK Korçë), në vijim të reformës së fiskalizimit të nisur nga Qeveria Shqiptare mbi një vit më parë. Me qëllim shmangien e deklarimeve të pasakta, kjo fushatë vjen si një thirrje drejtuar qytetarëve për të deklaruar të dhënat e tyre, duke lehtësuar në këtë mënyrë urën e bashkëpunimit të vendosur mes shoqërisë dhe klientëve të saj.

Për shumë vite UK Korçë ka në fokus të punës së saj të përditshme përpjekjen maksimale për të qenë Kompania e së Ardhmes dhe ofrues LIDER i shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Shqipëri dhe rajon. Një Kompani e së Ardhmes ofron shërbime me cilësi të lartë në një mënyrë shumë efikase duke qenë gjithashtu inovative, gjithëpërfshirëse, e orientuar drejt tregut e konsumatorëve dhe e qëndrueshme.

Shërbimi i mirë ndaj klientit përfaqëson objektivin kryesor, së bashku me elementë të tjerë të menaxhimit të shëndoshë të shërbimeve, si: organizimi dhe strategjia, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe menaxhimi financiar. Në misionin e saj, UK Korçë e sheh të domosdoshëm ndërtimin e themeleve të forta të bashkëpunimit, duke promovuar besimin reciprok dhe transparencën, duke inkurajuar shkëmbimin e informacionit, njohurive dhe ideve për të arritur qëllimet e përbashkëta strategjike. Klienti në synimin e asaj që UK Korçë synon të arrijë, duhet të jetë i angazhuar për të qenë i informuar, për të shprehur vlerësimin e tij dhe për të dhënë sugjerimet mbi elementët që ai mendon se duhet të ndryshojnë, për t’i shërbyer përmirësimit të mëtejshëm të shërbimit.

“Nëse themelet e bashkëpunimit që kërkojmë të ndërtojmë do të jenë të formuara si duhet, kjo do të lehtësojë zgjidhjen e problematikave që mund të paraqiten në të ardhmen. Nuk mund ta realizojmë dot si duhet këtë bashkëpunim për të synuar përmirësimin e punës dhe rritjen e performancës, nëse nuk përditësojmë të dhënat e klientëve tanë, për t’i saktësuar dhe për të shmangur deklarimet jo të sakta” – shprehet Ina Kosta, Specialiste e Marrëdhënieve me Publikun pranë UK Korçë.

Cilat janë kategoritë e synuara?

Në zbatim të Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020, subjekt i fiskalizimit të faturës do të jenë:

  1. Klientët – institucionet
  2. Klientët – njësitë private
  3. Klientët – familjarë

 
Si do të procedohet për deklarimin e të dhënave?

Kjo fushatë përfshin si zonën urbane, ashtu edhe atë rurale, prandaj kjo thirrje vlen për të gjithë klientët e UK Korçë.

Hapat që UK Korçë ka ndërmarrë për realizimin e kësaj fushate, janë:

  1. Komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët nëpër sportelet e shoqërisë dhe ndjekja e të gjitha situatave rast pas rasti, për t’i orientuar si duhet klientët në bazë të kategorive që ata iu përkasin.
  2. Rastet e veçanta që janë paraqitur, janë trajtuar me shumë profesionalizëm nga zyra juridike, duke iu dhënë zgjidhje problematikave të qytetarëve.
  3. Janë përgatitur materiale promocionale për ta paraqitur vizualisht këtë fushatë, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar në çdo lloj forme për mënyrën e organizimit të saj.
  4. Janë zhvilluam intervista mediatike, për të komunikuar me qytetarët dhe për të qartësuar kategoritë e tyre lidhur me qëllimin dhe vazhdimësinë e kësaj fushate.
  5. Publikimi i fushatës edhe nëpër rrjetet sociale (Facebook, Instagram, Linkedin), nëpërmjet publikimeve të vazhdueshme.
  6. Përgatitja e një video animation, ku përshkruhet i gjithë procesi i deklarimit të të dhënave nga ana e qytetarëve dhe qëllimi kryesor se për çfarë arsye do të përdoren ato.

 
Cili është feedback-u i marrë?

Kjo fushatë ka ecur mjaft mirë, duke u mirëpritur nga qytetarët, të cilët kanë nxituar për të deklaruar të dhënat e tyre pranë sporteleve ku kryhen pagesat e faturës së ujit. Kjo fushatë u përqafua si duhet edhe për thjeshtësinë me të cilën u paraqit, jo vetëm në kërkimin e dokumentave, por edhe në shpejtësinë e shërbimit të ofruar.

Kryesisht, interesi madh për përditësimin e të dhënave është shprehur nga kategoria e qytetarëve që faturën e ujit vijojnë ta kenë në emrin e një familjari që ka ndërruar jetë, nga qytetarët që kanë bërë shit-blerje të pasurive të tyre, si edhe nga bizneset që dëshirojnë të vijojnë me fatura të fiskalizuara që mbartin të dhëna të sakta.