Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB), e themeluar në vitin 2000, është një Shoqatë profesionale, jofitimprurëse e profesionistëve në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, e cila synon te përmirësojë menaxhimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve në Shqipëri, për ta bërë atë më efiçent, të qëndrueshëm dhe efektiv në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Shqipëri. Shoqata është e regjistruar sipas ligjit në Gjykatën e Tiranës.
VIZIONI I SHUKALB
“Të njihet si Lider i Afirmuar në avancimin e cilësisë së performancës dhe qëndrueshmërisë në sektorin e ujit”.
Deklarata e Misionit të Organizatës konsiston në 4 objektiva kryesore:
Mbrojtja e interesave kolektive të profesionistëve të sektorit të ujit në Shqipëri.
Lider në shërbimin si burim njohurish, zhvillim profesional dhe network
Investim në kohë dhe burime për rritjen e ndërgjegjësimit dhe tërheqjen e brezit të ri për të zhvilluar karrierën e tyre profesionale në sektorin e ujit.
Një forcë pozitive për nxitjen e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe partneritetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Organet Drejtuese
Asambleja e Pergjithshme e Shoqatës
Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës përbëhet nga të gjithë anëtarët e të gjitha kategorive, të cilët kanë paguar detyrimet aktuale sipas kuotave vjetore të përcaktuara nga Shoqata. Të gjithë anëtarët janë të autorizuar të zgjedhin anëtarët e Bordit Drejtues sipas kategorive të anëtarësimit.
Bordi i Drejtorëve përbëhet nga jo më pak se tetë (8) anëtarë dhe zgjidhet një herë në tre vjet nga Anëtarët e SHUKALB si më poshtë: Drejtorë të Shoqërive (8) me dy (2) të zgjedhur nga secila nga katër rajonet e përcaktuara të vendit; një (1) përfaqësues nga anëtarët e Sektorit Privat; një (1) përfaqësues nga anëtarët e Institucioneve Publike, dhe një (1) përfaqësues nga Anëtarët Individë. Gjithashtu, Profesionistët e Rinj të Ujit të Shqipërisë përfaqësohen në Bord nga Kryetari i tyre.