Grupi Shqiptar i Profesionistëve të Rinj të Ujit
Çfarë është Programi i Profesionistëve të Rinj të Ujit?
Programi i Profesionistëve të Rinj të Ujit (PRU) është një iniciativë e Shoqatës Ndërkombëtare të Ujit (IWA),
që ka si qëllim ngritjen e një rrjeti profesionistësh të rinj të sektorit ujësjellës kanalizime, të cilët janë duke përfunduar studimet akademike ose janë në vitet e para të karrierës së tyre profesionale. Ky program ofron mënyra praktike dhe efektive për të gjithë të rinjtë që janë të interesuar të vazhdojnë karrierën në sektorin e ujësjellës kanalizime për të ndjekur interesat dhe përvojat e tyre. Programi gjithashtu është i angazhuar në sektorin e ujit, duke mbështetur punën ne aktivitetet që kanë si qëllim zhvillimin profesional si dhe mbështet përpjekjet e përbashkëta në rekrutimin e profesionistëve të rinj të talentuar.
Përse duhet themeluar në Shqipëri Grupi i Profesionistëve të Rinj të Ujit?
Zhvillimi efikas dhe efektiv i sektorit të ujit është i pamundur pa një rrjedhë të qëndrueshme të profesionistëve të rinj, të cilët fillojnë të punojnë në sektorin e ujit por edhe vazhdojnë të zhvillohen profesionalisht në këtë fushë, duke ngritur nivelin e kapacitetit dhe kompetencën e sektorit të ujësjellës kanalizime në vend.
Plotësimi i nevojave aktuale dhe i atyre të së ardhmes në sektorin e ujësjellës kanalizime në Shqipëri, kërkon zhvillimin e vazhdueshëm të një fuqie punëtore, e cila është e mjaftueshme në madhësi, e aftë në aftësitë dhe e fortë në udhëheqje. Profesionistët e Rinj të Ujit (studentë dhe profesionistë të sektorit nën moshën 35 vjeç) janë e ardhmja e sektorit ujësjellës kanalizime në të gjithë botën, dhe në Shqipëri ky fakt është veçanërisht i vërtetë.
Si filloi ky Program në Shqipëri?
Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë, pasi identifikoi nevojën për profesionistë të rinj në sektor, angazhoi burimet e saj në inkurajimin e krijimit të një grupi me profesionistë të rinj. Iniciativa e parë u ndërmor me dërgimin e një grupi prej 16 të rinjsh në Konferencën e Profesionistëve të Rinj të Ujit në Beograd më prill 2010. Gjatë kësaj Konference, profesionistët e rinj shqiptarë të ujit patën mundësinë të vendosnin kontaktet e para me profesionistët e rinj në rajon, si dhe të shkëmbenin ide dhe eksperienca. Pasi grupi i të rinjve u kthye ne Shqipëri, ata vendosën të krijonin Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit në Shqipëri.
Gjithsesi, duke marrë në konsideratë nevojën e Profesionistëve të Rinj të Ujit për mbështetje, shkëmbim dijesh dhe eksperiencash, dhe duke ditur për eksperiencat e vendeve të tjera në këtë drejtim, u vendos që një formë bashkëpunimi dypalësh me grupe të tjerë të rinjsh në nivel ndërkombëtar do ishte një faktor i rëndësishëm, sidomos në periudhën e krijimit të Grupit të Profesionistëve të Rinj.
Pasi u identifikua, përmes kontaktimit me Shoqatën Ndërkombëtare të Ujit, Grupi i Profesionistëve të Rinj Austriakë të Ujit si shembull i një organizimi të suksesshëm, dhe pasi u kontaktua ky Grup, u vendos për të pasur një bashkëpunim zyrtar midis dy Grupeve, atij Austriak dhe atij Shqiptar.
Në këtë aspekt, gjatë Javës Kombëtare të Ujit në nëntor 2010, u firmos një Memorandum Mirëkuptimi midis Grupit të sapoformuar në Shqipëri të Profesionistëve të Rinj të Ujit dhe atij Austriak. Nënshkrimi i dokumentit, ceremonia e së cilit ishte pjesë e ditës së parë të punës të Konferencës Vjetore të Shoqatës më 4 nëntor 2010, u zhvillua mes znj. Katerina Ruzicka, që përfaqëson Grupin e PRU të Austrisë, dhe znj. Elisabeta Poçi, e cila përfaqëson Grupin e PRU të Shqipërisë.
Qëllimi i këtij Memorandumi është krijimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy Grupeve për të arritur objektivat e përbashkët. Sipas memorandumit, Grupet bien dakord të bashkëpunojnë për zhvillimin e një Plani Vjetor Pune, i cili do të inkurajojë dhe do mbështesë krijimin e Komitetit të PRU, i cili do përfshijë shkëmbim njohurish, organizim të vizitave studimore, binjakëzime, realizimin e seminareve mbi tema me interes të përbashkët, dhe shkëmbim të anëtarëve të PRU për praktika pune.
Misioni i Profesionistëve të Rinj të Ujit në Shqipëri
Grupi Shqiptar i Profesionisteve te Rinj të Ujit ka për qëllim ofrimin e informacionit dhe aktiviteteve, të cilat
synojnë të përmirësojnë formimin e rrjeteve të ndryshme midis profesionistëve të rinj si dhe mundësitë e karrierës për gjeneratat e ardhshme të profesionistëve të ujit në sektor duke rritur në këtë mënyrë vlerën e kontributit të tyre në menaxhimin e qëndrueshëm të sektorit. Ky mision mbështetet më tej nga pikat e mëposhtme kyçe:
-
Inkurajimi i profesionistëve të rinj për të qenë më të përfshirë me SHUKALB në nivel rajonal dhe kombëtar;
- Krijimi i një mjedisi ku profesionistët e rinj të mund të takohen, të marrin informacione dhe të shkëmbejnë idetë e tyre;
- Lehtësimi i mundësive për të mësuar dhe për tu rritur profesionalisht me anë të seminareve profesionale, turneve teknike si dhe programeve të zhvillimit të karrierës;
- Ikurajimi në përfshirjen në aktivitete vullnetare.
Mundësitë dhe kategoritë e anëtarësimit
·Individë
Te gjithë individët, punonjës të kompanive të tilla si: shoqëri të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve,
punonjës të qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, inxhinierë, studiues, pedagogë, konsulentë, apo profesionistë të tjerë të interesuar për të zhvilluar karrierën në fushën e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, dhe që janë nën moshën 35 vjeç.
·Studentë
Studentët te cilët ndjekin studimet e tyre në një nga fushat si Inxhinieri Hidroteknike, Mjedisi etj.
Përfitimet e anëtarësimit në Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit
- Mundësi avancimi në karrierë
- Mundësi per networking
- Kurse trajnimi dhe seminare
- Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare
- Vizita studimore brenda dhe jashtë Shqipërisë
- Buletini i gazetës “Burimi” çdo tre muaj
- Mundësi drejtimi dhe udhëheqjeje
- Mundësi për të prezantuar në konferenca
- Mundësi për pjesëmarrje nëpër programe vullnetare
- Informacione për bursa
- Lidhje me organizata të tjera
Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë Tel/ Fax: (+355/4) 2245 101
Rruga “Pjeter Bogdani”, Pall. “Teuta”, Ap. 5/4 | e-mail: | info@shukalb.al |
Tirana, Albania | web: | www.shukalb.al |