Rregullatorët e Ujit të Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit. Nga e M në të D: Enkelejda Muçaj, Zëvendës Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shqipëri; Branislav Prelevic, Kryetar i Bordit në Agjencinë Rregullatore të Energjisë të Malit të Zi; Hajrije Morina, Drejtoreshë e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Kosovës (ARRU) Kosovë; Ndriçim Shani, Kryetar, Enti Rregullator i Ujit (ERRU); Shqipëri, Marko Bislimoski, President i Komisionit Rregullator të Shërbimeve të Energjisë dhe Ujit, Maqedonia e Veriut; dhe Andrea Guerrini, President i Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit (WAREG)
Foto nga ERRU

Më 18 maj 2022, në Tiranë, katër Rregullatorë Ekonomikë të sektorit të ujit në Ballkanin Perëndimor që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, nënshkruan memorandumin e parë të bashkëpunimit si kornizë për zhvillimin e bashkëpunimit afatgjatë dhe shkëmbimin e përbashkët të praktikave, informacioneve, analizat e përbashkëta dhe krahasimet e modeleve ekzistuese rregullatore të sektorit të ujit dhe performancave të shoqërive ujësjellës kanalizime. Ky memorandum ofron themelin për një program bashkëpunimi rajonal të mbështetur nga WAREG, Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit.

Ceremonia u organizua dhe u prit nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) dhe në të morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit, SHUKALB etj. SHUKALB u përfaqësua në ceremoni nga Drejtoresha Ekzekutive Znj. Elisabeta Poçi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i ERRU, z. Ndriçim Shani deklaroi se: “18 maji është dita kur katër rregullatorët ballkanikë mblidhen në një tryezë, por bashkëpunimi midis tyre daton më herët përmes marrëveshjeve dypalëshe. Me kalimin e kohës lindi nevoja për ta çuar në një shkallë më lart këtë marrëdhënie midis shteteve, të cilët krahas elementëve të përbashkët, kanë edhe diferenca në sektorin e ujit. “Në rajonin tonë ekzistojnë ngjashmëri dhe faktorë të përbashkët që i karakterizojnë rregullatorët kufitarë me njëri-tjetrin, si: mentaliteti, shkalla e zhvillimit, modeli i qeverisjes së sektorit të ujit, dimensionet e zonave të shërbimit dhe popullsisë të mbuluara me shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Por të gjitha kanë një mision të përbashkët: përmirësimi i performancës e qëndrueshmërisë financiare të sektorit, si dhe garancia që shoqëritë UK në një ambient monopol t’u ofrojnë konsumatorëve shërbime me cilësi të lartë dhe larg abuzimeve me tarifda të pajistifikuara”.

Në emër të Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit, Presidenti, Z. Andrea Guerrini garantoi ofrimin e ekspertizës teknike dhe mbështetjen institucionale në favor të bashkëpunimit rajonal të rregullatorëve në sfidat vendimtare që janë identifikuar dhe në përafrimin me standartet e BE-së. “Të katër presidentët janë miq dhe gjithashtu anëtarë të WAREG, një shoqatë që do t’ju mbështesë gjithmonë dhe ku mund të gjeni instrumente shtesë bashkëpunimi, nga marrëdhëniet dypalëshe me ekspertët, te mundësitë e trajnimit dhe aksesi në kontakte të drejtpërdrejta me institucionet evropiane si Komisioni dhe Parlamenti dhe organizatat ndërkombëtare si OECD apo Banka Evropiane e Investimeve”, – tha në fjalën e tij z. Guerrini.

Zv. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Enkelejda Muçaj përgëzoi nismën e ndërmarrë nga ERRU, e cila i shërben Shqipërisë veçanërisht në zbatimin e reformës së sapo nisur në sektorin e ujit.

Duke falënderuar organizatorin e ceremonisë, tre rregullatorët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nënvizuan se ky dokument shënon një moment historik me rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit të tyre me përfitime ekonomike dhe mjedisore.

Pjesëmarrësit në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit
Foto nga ERRU