SHUKALB merr pjesë në takimin fillestar të RCDN-së “Rinisja e programeve të zhvillimit të kapaciteteve për ujërat e ndotura”

Pjesëmarrësit në takimin fillestar të RCDN-së për zhvillimin e programeve të zhvillimit të kapaciteteve (ZHK) për ujërat e ndotura
Foto nga RCDN

Në 15 mars 2022, projekti Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve (RCDN) organizoi online takimin fillestar për rinisjen e zhvillimit të programeve të ZHK për ujërat e ndotura.

Objektivi i takimit ishte të siguronte një mirëkuptim të duhur dhe të përbashkët dhe të qartësonte metodologjinë e përgjithshme dhe procesin e vlefshmërisë së programeve të RCDN të ZHK për ujërat e ndotura, si dhe të arrihej dakordësimi për elementët kyç të qasjes zbatuese.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga shoqatat partnere të RCDN, GIZ dhe konsulentë. SHUKALB u përfaqësua në takim nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive dhe Jonida Ahmeti, Menaxhere e Trajnimeve, SHUKALB. Shqipëria është përzgjedhur si një vend për pilotimin e programit të zhvillimit të kapaciteteve të titulluar “Hyrje në sistemet e kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur për menaxherët dhe inxhinierët” i cili synon shoqëritë dhe bashkitë që janë në fazën e përgatitjes dhe zbatimit të infrastrukturës së ujërave të ndotura.

Struktura e propozuar, paketat e punës dhe përgjegjësitë, si dhe skedula e punës së programeve të ZHK për ujërat e ndotura u prezantuan dhe u diskutuan intensivisht nga pjesëmarrësit. Pjesëmarrësit gjithashtu reflektuan mbi kurrikulat dhe modulet për shtet pilot dhe qasjen e propozuar për zbatim në lidhje me ngritjen e kapacitetit të ekspertëve lokalë të ujërave te ndotura, ofrimin e pilotave, mbledhjen dhe sistemimin e mësimeve të nxjerra dhe përfshirjen e shoqatave partnere.