
Trajnerja Mirela Miti (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje”
Foto nga SHUKALB
SHUKALB ka nisur Programin e Trajnimit për vitin 2022 me dhënien e një prej trajnimeve më të kërkuara dhe më të rëndësishme, kursin dy ditor të trajnimit “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje”, mbajtur në Tiranë në datat 2 dhe 3 mars 2022.
Trajnimi u drejtua nga Prof. Asoc. Mirela Miti, Pedagoge, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe u ndoq nga drejtues dhe specialistë të departamentit financiar të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Peqin dhe Berat-Kuçovë.
Kursi i trajnimit ishte veçanërisht i rëndësishëm për shoqëritë ujësjellës kanalizime veçanërisht në këtë moment, pasi muaji mars është muaji kur shoqëritë dorëzojnë bilancet e tyre fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Kursi i trajnimit trajtoi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me setin e plotë të pasqyrave financiare dhe informacionin që mbart secila prej tyre, rregullat për zbatimin e politikave kontabël, llogaritë e arkëtueshme, borxhin e keq, tatimin e shtyrë, provizionet, aktivet e kushtëzuara, koston e kapitalit. Trajnerja Prof. Assoc. Mirela Miti u kujdes të sillte të gjithë informacionin e përditësuar në lidhje me kuadrin ligjor dhe rregullator.
Trajnerja i angazhoi pjesëmarrësit në diskutime rreth rasteve konkrete të problematikave në punën e tyre të përditshme, si dhe në analizimin e pasqyrave financiare aktuale të shoqërive ujësjellës kanalizime.