SHUKALB ofron Programin D-LeaP “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave” për tre Shoqëri UK të tjera

Gjatë vizitës së parë në Shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Durrës
Foto nga SHUKALB

SHUKALB ka nisur të ofrojë Programin D-LeaP “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave” (PSU&MK) për Shoqëritë UK Durrës, Shkodër dhe Fier. Ky aktivitet është një vazhdim i raundit fillestar të programit, si pjesë e të cilit pesë Shoqëri (Lushnje, Gramsh, Patos, Berat-Kuçovë dhe Belsh) u trajnuan dhe u mundësuan të zhvillonin planet e tyre për Sigurinë e Ujit dhe Menaxhimin e Krizave. Aktiviteti po mbështetet nga IAWD dhe RCDN.

Gjatë muajit maj 2022, SHUKALB organizoi dy sesione trajnimi në shoqëritë UK Durrës, Fier dhe Shkodër. Ekipi i SHUKALB-it përbëhej nga trajnerja kryesore Migena Kukli, bashkëtrajneri Elton Hasanaj; Drejtoresha Ekzekutive Elisabeta Poçi dhe Franceska Troka, Koordinatore e Programit.

Në këto takime morën pjesë pjesërisht Drejtorët e shoqërive UK dhe zëvendësdrejtori, ndërsa ekipi i shoqërive UK që u angazhua në mënyrë aktive në trajnim dhe punën praktike përfshinte: Drejtuesit e Departamentit Teknik, Drejtorët Tregtar, Menaxherët e Burimeve Njerëzore, Drejtuesit e Departamentit të Shitjeve, Koordinator të Departamentit të SCADA / GIS, Menaxher i Kanalizimeve, Specialistë Laboratori, Specialistë nga Zyra e Shitjeve, Specialistë nga Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, Specialistë të Medias, Inxhinierë Elektrikë dhe Hidroteknikë.

Gjatë vizitës së parë në Shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Shkodër
Foto nga SHUKALB

Qëllimi i sesioneve të para të trajnimit, të organizuara në datat 9-11 maj 2022, ishte përshkrimi i elementeve të sistemit të furnizimit me ujë dhe analiza e riskut, si dhe fillimi i hartimit të Planit të Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimit të Krizave. Pjesëmarrësit u njohën me objektivat e programit, planin e përgjithshëm të punës, si dhe pritshmëritë për rolin dhe përfshirjen e tyre në program. Si pjesë e agjendës, trajnerët prezantuan konceptet dhe elementet e Planit të Sigurisë së Ujit (PSU) dhe Planit të Menaxhimit të Krizave (PMK).

Gjithashtu, pjesëmarrësit, nën drejtimin e trajnerëve, u angazhuan në ushtrime praktike dhe diskutime mbi konceptet e PSU-së dhe PMK-së.

Në datat 25-27 maj 2022 u organizuan sesionet e dyta të trajnimit dhe si pjesë e trajnimit pjesëmarrësit u njohën me Planin e Përmirësimit të Kontrollit dhe Planin e Monitorimit të efektshmërisë të Planit të Sigurisë së Ujit. Gjysma e trajnimit iu kushtua një vizite në terren në pikat kritike të sistemit të furnizimit me ujë, të identifikuara nga stafi përkatës i shoqërive UK. Këto vizita ishin të vlefshme pasi plotësojnë procesin e përshkrimit të sistemit dhe analizës së riskut, të kryera në klasë nga pjesëmarrësit nën drejtimin e trajnerëve.

SHUKALB ka planifikuar dy sesione të tjera trajnimesh për 3 shoqëritë UK pjesëmarrëse gjatë javëve në vijim, dhe deri në fund të Programit, çdo shoqëri do të ketë hartuar Planin standard të Sigurisë së Ujit dhe Planin e Menaxhimit të Krizave.

Gjatë vizitës së parë në Shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Fier
Foto nga SHUKALB