SHUKALB organizon takimin e parë të projektit “Hartimi i një dokument projekti për zbatimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë për trajtimin e ujërave të ndotura në dy zona rurale në basenin e lumit Drin”

Elisabeta Poci, Drejtore Ekzekutive, SHUKALB (në këmbë në të majtë); Arbana Kola, SHUKALB (në këmbë në të djathtë) dhe pjesëmarrësit gjatë takimit të parë në Tiranë
Foto nga SHUKALB

SHUKALB, në bashkëpunim me kompaninë italiane IRIDRA dhe Universitetin e Shkencave të Natyrës BOKU në Vjenë, Austri, organizuan më 21 Prill, në Hotel Rogner në Tiranë, takimin e parë për projektin “Hartimi i një dokument projekti për zbatimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë për trajtimin e ujërave të ndotura në dy zona rurale në basenin e lumit Drin”.

Projekti zbatohet në kuadër të Projektit “Promovimi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Burimeve Natyrore në Evropën Juglindore, nëpërmjet përdorimit të qasjes Nexus”, nga Global Water Partnership-Mediterranean (GWP-Med) në partneritet me Komisionin Ekonomik për Evropën të Kombeve të Bashkuara (UNECE), financuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA).

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Shqipëri (AKUM), Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Shqipëri (AMBU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit të Shqipërisë (AKM), Enti Rregullator i Ujit, Shqipëri (ERRU), Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Tiranë (FIN), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëri, Bashkia Belsh, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Kukës, Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA), Shqipëri; Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim (GIZ), Partneriteti Global i Ujit (GWP-MED); Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Kosovë, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS).

Gjatë takimit pjesëmarrësit u njohën me një pasqyrë të përgjithshme të projektit, gjetjet nga Raporti Fillestar dhe identifikimin e vendndodhjes për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUN) me zgjidhje natyrore në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe zgjidhjet natyrore për trajtimin dhe ripërdorimin e ujit të ndotur.  Përveç prezantimeve, pjesëmarrësit u angazhuan në mënyrë aktive në diskutimin e mundësive dhe sfidave të aspekteve të lidhjes së energjisë dhe ujit, në kontekstin e trajtimit të ujërave të ndotura.

Një takim i ngjashëm u mbajt edhe në Prishtinë, më 5 maj 2022, për palët e interesuara të sektorit të ujit në Kosovë. Pas mbylljes së takimit në Kosovë, përfaqësues nga SHUKALB, Iridra srl dhe Universiteti i Shkencave të Natyrës BOKU, Vjenë, bënë një vizitë në një ITUN me zgjidhje natyrore të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, Pejë, organizuar nga Prof. Lavdim Osmanaj nga Universiteti i Prishtinës.

Përfaqësues nga SHUKALB, Iridra srl dhe Universiteti i Shkencave të Natyrës BOKU në Vjenë, Austri, gjatë vizitës në ITUN me zgjidhje natyrore të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, Pejë.
Foto nga SHUKALB