SHUKALB përgatit dhe zhvillon me sukses workshopin “Menaxhimi i Ujërave të Ndotur në Kontekstin e Ekonomisë Qarkulluese”

Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB gjatë hapjes së ditës së parë të workshopit
Foto nga SHUKALB

Gjatë datave 18-19 korrik 2022, SHUKALB dhe Global Water Partnership-Mediterranean (GWP-Med) organizuan me sukses workshopin 2-ditor me temë ” Menaxhimi i Ujërave të Ndotur në Kontekstin e Ekonomisë Qarkulluese”. Workshopi u përgatit dhe u mbajt nga SHUKALB në kuadër të Projektit SEE NEXUS, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe zbatuar nga GWP-Med në partneritet me UNECE. Workshopi u përshëndet në hapje nga Arduen Karagjozi, Drejtor i Menaxhimit Strategjik, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Tassos Krommydas, Zyrtar i Lartë i Programit, GWP-Med.

Në workshop morën pjesë përfaqësues nga Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Pogradec, Shkodër, Korçë dhe Kukës, si dhe Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Enti Rregullator i Ujit (ERRU), Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Global Water Partnership-Mediterranean (GWP-Med) dhe SHUKALB.

Prof. Enkelejda Gjinali, Pedagoge pranë Departamentit të Inxhinierisë së Mjedisit, Universiteti Politeknik i Tiranës (në këmbë) gjatë prezantimit të Modulit 1. Çfarë është ekonomia qarkulluese?, në ditën e parë të trajnimit
Foto nga SHUKALB

Workshopi u drejtua nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, Prof. Enkelejda Gjinali, Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit, UPT, dhe Arbana Kola, Menaxhere Projekti, SHUKALB.

Objektivi i workshopit ishte rritja e kapaciteteve të përfaqësuesve të aktorëve të ndryshëm në sektorin e ujit në Shqipëri në lidhje me ekonominë qarkulluese në lidhje me menaxhimin e ujërave të ndotur dhe në kontekstin e acquis communautaire mjedisore të Bashkimit Evropian (BE).

Arbana Kola, Menaxhere Projekti, SHUKALB, gjatë prezantimit të saj të Modulit 2: Korniza ligjore dhe politikat kombëtare në mbështetje të ekonomisë qarkulluese
Foto nga SHUKALB

Gjatë dy ditëve të workshopit, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësonin mbi parimet e përgjithshme të Ekonomisë Qarkulluese (EQ) dhe se si menaxhimi i duhur i ujërave të ndotur kontribuon në EQ. Për më tepër, u njohën me kornizat ligjore dhe politikat ndërkombëtare dhe kombëtare në mbështetje të EQ dhe vlera e biznesit në një EQ. Workshopi prezantoi shumë raste dhe shembuj të EQ në praktikë, nga vendet e zhvilluara si dhe nga iniciativat në Shqipëri. Gjatë workshopit pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutonin dhe të ndanin informacion me njëri tjetrin, si dhe të agazhoheshin në mënyrë interaktive gjatë punëve në grup.

Gjithashtu, si pjesë e axhendës së workshopit, në ditën e dytë të tij, u zhvillua një vizitë studimore në Impiantin e Trajtimit të Ujit të Ndotur (WTP) në Durrës, ku pjesëmarrësit u njohën me impiantin dhe pajisjet e tij, funksionimin dhe mirëmbajtjen, procedurat, si dhe me aspektet e rikuperimit të energjisë përmes proceseve të tretjes së llumit.

Në fund të workshopit, pjesëmarrësve morën certifikata për pjesëmarrjen.

Pjesëmarrësit në mbyllje te workshopit “Menaxhimi i Ujërave të Ndotur në Kontekstin e Ekonomisë Qarkulluese”
Foto nga SHUKALB

Tema e Ekonomisë Qarkulluese në përgjithësi dhe EQ në menaxhimin e ujërave të ndotur janë ende shumë të reja në Shqipëri. Vetë trajtimi i ujërave të ndotur konsiderohet të jetë ende në një fazë relativisht të hershme, me fillimin e operimit të parë të ITUN në vitin 2006, dhe sot Shqipëria ka 13 ITUN, që i shërbejnë rreth 13 % të popullsisë. Për pjesën më të madhe të këtyre ITUN, uji i trajtuar thjesht shkarkohet në trupat ujorë pritës, si rezultat përfundimtar i një procesi të gjatë trajtimi që ka konsumuar shumë energji dhe kimikate. Nga ana tjetër, llumi që prodhohet si nënprodukt i procesit të trajtimit shihet si një “problem për t’u trajtuar” dhe jo si një burim lëndësh ushqyese. Duke folur për përballueshmërinë e ITUN, mbulimi i kostos nga tarifat është shumë i ulët, dhe pothuajse i parëndësishëm kur merren parasysh kostot, kryesisht energjia elektrike, për trajtimin. Megjithatë, në anën pozitive, ka pak shembuj të mirë që kanë filluar të integrojnë konceptet e EQ si pjesë e menaxhimit të tyre të ujërave të ndotur. Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë ka shpërndarë llumin nga ITUN te fermerët vendas, ndërsa në të njëjtën kohë po përdor fotovoltaikë për të prodhuar energji elektrike që përdoret për të mbuluar pothuajse 100% nevojat e ITUN. Një shembull tjetër është ITUN i Durrësit, i cili është i vetmi ITUN në Shqipëri me një teknologji që prodhon biogaz, i cili mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Duke parë përpara në të ardhmen, Shqipëria ka ende një rrugëtim të gjatë me planifikimin dhe projektimin e ITUN-eve të saj të ardhshme. Është koha dhe momenti i duhur për t’u siguruar që ITUN-et e ardhshme të jenë të dizenjuara në një mënyrë që jo vetëm të trajtojnë mbrojtjen e mjedisit përmes trajtimit të ujërave të ndotur, por të krijojnë vlerë në fund të procesit, përmes kapjes së lëndëve ushqyese, ndërsa në të njëjtën kohë duke ulur energjinë e tyre dhe gjurmën e karbonit duke integruar energjitë e rinovueshme.

Ky workshop ishte i pari i këtij lloji që SHUKALB ka organizuar dhe ndoshta i pari i organizuar për sektorin e ujit në Shqipëri. Duke marrë parasysh gjithashtu reagimet pozitive të marra nga pjesëmarrësit, si dhe rëndësinë e lartë të kësaj teme për Shqipërinë, SHUKALB angazhohet të vazhdojë përpjekjet e tij për aftësimin e profesionistëve të sektorit të ujit në Shqipëri me njohuri dhe aftësi mbi EQ, dhe integrimin e parimeve të EQ në politikat, rregulloret, si dhe aspektet operacionale të sektorit të ujit dhe ujit të ndotur.