SHUKALB mbështet Entin Rregullator të Ujit për prezantimin e Metodologjisë së re për Miratimin e Tarifave të Shërbimeve Ujësjellës-Kanalizime në Shqipëri

Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB (në këmbë majtas) duke përshëndetur pjesëmarrësit në fillimin e seminarit të parë të organizuar në Tiranë, më 6 maj 2022. Në të djathtë Elda Kruja, Përgjegjës i Sektorit Ekonomik dhe Tarifave, ERRU dhe Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU
Foto nga SHUKALB

Gjatë datave 6, 13, 27 maj dhe 3 qershor 2022, Enti Rregullator i Ujit (ERRU), në bashkëpunim me SHUKALB organizuan 4 seminare rajonale mbi prezantimin e Metodologjisë së re për Miratimin e Tarifave të Shërbimeve Ujësjellës-Kanalizime. Seminaret u organizuan me mbështetjen financiare të Bankës Botërore përmes Programit të Ujit të Danubit.

Seminaret e organizuara në Tiranë, Korçë dhe Lezhë u drejtuan nga Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU dhe Elda Kruja, Përgjegjës i Sektorit Ekonomik dhe Tarifave, ERRU, ndërsa në seminarin e fundit të organizuar në Vlorë më 6 qershor 2022, panelit iu bashkuan edhe Ana Ismailaja, Specialist i Analizës Ekonomiko-Financiare dhe Nevila Saliu, Specialist i Analizës së Aseteve dhe Investimeve, nga ERRU.

Pjesëmarrësit në seminaret në Tiranë, Korçë dhe Lezhë u përshëndetën nga Drejtoresha Ekzekutive e SHUKALB, znj. Elisabeta Poçi.

Gjatë seminarit të dytë rajonal të organizuar në Korçë, më 13 maj 2022.
Foto nga SHUKALB

Seminari i parë rajonal u organizua në Tiranë në Hotel Tirana International, ku morën pjesë 38 pjesëmarrës nga shoqëritë ujësjellës kanalizime nga rajoni qendror i Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Kamëz, Peqin, Berat-Kuçovë, Lushnjë, Bulqizë, Vorë, Ura-Vajgurore dhe Rrogozhinë; si dhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), GIZ Albania, ERRU dhe SHUKALB.

Seminari i dytë rajonal u organizua në Korçë, në Hotel Park Plazza, ku morën pjesë 31 pjesëmarrës nga shoqëritë ujësjellës kanalizime nga rajoni Juglindor i Shqipërisë, duke përfshirë Korçën, Elbasanin, Pogradecin, Devollin, Kolonjën, Cerrikun, Gramsh, Pustec, Belsh, Maliq, si dhe ERRU dhe SHUKALB.

Seminari i 3-të rajonal i organizuar në Lezhë, më 27 maj 2022.
Foto SHUKALB

Seminari i tretë rajonal u organizua në Lezhë, në Hotel Twin Tower, ku morën pjesë 25 pjesëmarrës nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, kryesisht nga rajoni i veriut të Shqipërisë, duke përfshirë, Shkodër, Lezhë, Dibër, Pukë, Fushë- Arrez, Malësi e Madhe, Kurbin, Mirditë, Kavajë, si dhe ERRU dhe SHUKALB.

Seminari i katërt dhe i fundit rajonal u organizua në Vlorë, në Hotel Bologna, ku morën pjesë 32 pjesëmarrës nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, nga rajoni Juglindor i Shqipërisë, duke përfshirë Vlorë, Fier, Sarandë, Gjirokastër, Patos, Tepelenë, Selenicë, Përmet, Dropull, Finiq, Konispol dhe Rroskovec, si dhe ERRU, SHUKALB dhe Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Tiranë.

Seminari i 4-t rajonal i organizuar në Vlorë, më 3 qershor 2022.
Foto nga SHUKALB

Gjatë seminareve pjesëmarrësit u njohën me nevojën për rishikimin e metodologjisë, qëllimin e metodologjisë, dokumentacionin e aplikimit për tarifa, skemën e procesit të miratimit të tarifave, kriteret e përgjithshme të vlerësimit, metodën kosto plus, metodën e çmimit tavan, si dhe modelin e aplikimit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin në detaje me metodlogjinë e re, aspektet praktike të përgatitjes së dokumentacionit që shoqëritë UK duhet të përgatisin për propozimin e tarifës së re, si dhe morën udhëzimet e nevojshme për mënyrën e llogaritjes së nevojave për të ardhura, strukturën tarifore, përballueshmërinë dhe treguesit kryesorë të performancës.

Gjatë prezantimit z. Shani shpjegoi pse ishte e nevojshme të rishikohej metodologjia e mëparshme, si një kërkesë që erdhi me evoluimin e sektorit. Duke qenë në prag të një reforme të bazuar në agregim, e cila parashikon që shoqëritë UK të kenë një plan biznesi 5-vjeçar për të projektuar rritjen e qëndrueshmërisë financiare, lindi domosdoshmëria e hartimit të një metode të re, “çmimi tavan”.

Znj. Elda Kruja, prezantoi në detaje Modelin e Aplikimit Tarifor 3 dhe 5 vjeçare dhe dhe Treguesit Kryesorë të Performancës (TKP), raportin vjetor dhe vlerësimin e TKP-ve.

Gjatë seminareve u organizuan sesione pyetje-përgjigje, ku pjesëmarrësit u sqaruan për detajet në lidhje me Metodologjinë e re, ndërsa ERRU siguroi se do t’i asistojë vazhdimisht shoqëritë UK në lidhje me skemën e re të aplikimit.