Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë ndërmerr aksion kundër abuzimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe uljen e debitorëve

Elona Hodaj, Drejtoreshë e UK Vlorë, sëbashku me pjesëtarë të task-force, gjatë aksionit për evidentimin e abuzimeve ne rrjet
Foto nga UK Vlorë

Thirrja e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë (UK Vlorë) për të gjithë klientët e saj gjatë muajit gusht është: STOP Shpërdorimit të Ujit! Gushti është përgjithësisht një muaj i vështirë për UK Vlorë për shkak të efektit të kombinuar të temperaturave të larta dhe pikut të sezonit turistik që bën që popullsia në Vlorë të katërfishohet përkohësisht si pasojë e turistëve të shumtë vendas dhe të huaj. Task Forca e UK Vlorë, e drejtuar nga drejtoresha Elona Hodaj, ka ndërmarrë një fushatë për evidentimin e abuzimeve dhe ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa nga ana tjetër monitoron pagesat nga klientët, për rritjen e arkëtimit dhe uljen e debive. Fushata po zbatohet jo vetëm në qytetin e Vlorës por edhe në Njësitë Administrative.

Në Zvërnec situata është monitoruar me kujdes dhe Task Forca ka evidentuar rastet e abuzimit me rrjetin e ujësjellësit. Task Forca ka monitoruar tubacionin që furnizon me ujë konsumatorët familjarë dhe privatë, si dhe ka ndërprerë shërbimin e furnizimit me ujë për dhjetëra debitorë, por edhe për familjet dhe bizneset pa kontratë me UK Vlorë. Aksioni po zhvillohet edhe në Njësitë Administrative Orikum, Qendër dhe Shushice, si dhe në të gjithë qytetin e Vlorës. Njëkohësisht po kryhet identifikimi i konsumatorëve pa matje, si dhe po identifikohen dhe ndërpriten lidhjet e paligjshme.

Aksioni ka dhënë rezultate, teksa shumë debitorë në shuma të konsiderueshme po paguajnë gjysmën e debisë dhe për pjesën tjetër janë lidhur akt-marrëveshje me UK Vlorë për pagesën e saj me këste.

Drejtoresha e UK Vlorë, Elona Hodaj, thotë se nuk do të ketë asnjë tolerim. “Zero tolerim për debitorët dhe ata që abuzojnë me rrjetin e ujësjellësit. Aksioni është në vazhdimësi dhe po godet fuqishëm paligjshmërinë”, shprehet Hodaj.