Një ndër sfidat kryesore me të cilën përballen sot shoqëritë ujësjellës kanalizime është ajo e përmirësimit të performancës. Kursi synon ndërgjegjësimin e pjesmarrësve për ta përdorur benchmarking para së gjithash si një mjet të brendshëm të përmirësimit të performancës. Kursi do të trajtojë çështje të cilat kanë të bëjnë me programin e përmirësimit të performancës, parakushtet për një proces të suksesshëm benchmarking, ndërlidhjen e aktiviteteve të benchmarking me objektivat strategjikë, grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave si dhe identifikimin dhe përzgjedhjen e aktiviteteve parësore për përmirësimin e performancës. Pjesëmarrësit do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përdorur informacionin e grumbulluar dhe përpunuar gjatë procesit të benchmarking për përmirësimin e performancës së shoqërisë së tyre.
Kush duhet të marrë pjesë
Ky kurs është hartuar për profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime dhe është veçanërisht i vlefshëm për menaxherët kryesorë dhe specialistët e raportimit.
Objektivat e kursit të trajnimit
Në fund të këtij kursi trajnimi, ju do të jeni të aftë të:
Kuptoni çështjet që duhet të shqyrtohen gjatë kalimit nga objektivat strategjike në përmirësimin e performancës;
Hartoni një program të plotë planesh veprimi për përmirësimin e performancës;
Kuptoni rëndësinë e benchmarking si një mjet për përmirësimin e performancës;
Kuptoni rëndësinë e ndërlidhjes së aktiviteteve të benchmarking me objektivat strategjik;
Shpjegoni rëndësinë e vlerësimit të performancës;
Dalloni cilësinë e informacionit gjatë fazës së mbledhjes së të dhënave;
Kuptoni domosdoshmërinë e verifikimit të të dhënave;
Kuptoni rëndësinë e kryerjes së një analize të brendshme;
Analizoni prirjen për indikatorë të caktuar;
Identifikoni aktivitetet për përmirësimit e performancës;
Përzgjidhni aktivitetet parësore për përmirësimin e performancës.
Metoda e trajnimit
Trajnimi është i bazuar në leksione të prezantuara në PowerPoint, të ndërthurura me diskutime dhe raste studimore. Përveç marrjes së leksioneve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të analizojnë edhe raste konkrete studimore.
Materialet e kursit të trajnimit
Pjesëmarrësit në këtë kurs trajnimi, do të pajisen me Manualin e Trajnimit “Manaxhimi i Performancës nëpërmjet Benchmarking”. Përpos kësaj, pjesëmarrësit do të pajisen me certificatë.
Tarifa e regjistrimit
Anëtarët e SHUKALB/SHUKOS: 22,000 lekë për person
Jo-anëtarët: 25,000 lekë për person.
Kjo tarifë përfshin materialet e kursit, drekat, dhe pushimet për kafe.