SHUKALB bashkohet me Koalicionin Bali për të forcuar trajnimet në sektorin e ujit
29 Mars, 2024
SHUKALB bashkohet me Koalicionin Bali për të forcuar trajnimet në sektorin e ujit
Së fundmi, SHUKALB i është bashkuar Koalicionit Bali, i cili synon të promovojë trajnimet si një mjet thelbësor për të përshpejtuar zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), dhe në veçanti aksesin në ujin e pijshëm dhe kanalizime.
Koalicioni Bali do të lançohet gjatë Forumit të 10 Botëror të Ujit, më 18 deri më 25 maj në Bali, Indonezi dhe është mbështetur deri më tani nga shumë përfaqësues të operatorëve publikë dhe privatë të shërbimeve komunale të ujit dhe kanalizimeve, autoritete lokale, qeveri, organizata ndërkombëtare, institucione financiare ndërkombëtare, organizata të baseneve, shoqëria civile dhe sektori privat.
SHUKALB beson fuqimisht se nuk mund të ketë shërbime të sigurta dhe të qëndrueshme të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve pa një fuqi punëtore kompetente dhe të trajnuar mirë. Është misioni dhe angazhimi i SHUKALB për të punuar me palët e interesit për të nxitur një mjedis rregullator të përshtatshëm që inkurajon trajnimet në sektorin e ujit dhe për t’i kushtuar kohë dhe burime zhvillimit dhe ofrimit të programeve përkatëse dhe cilësore të trajnimeve për shoqëritë ujësjellës kanalizime në Shqipëri. Për më tepër, SHUKALB ka punuar në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë për të zhvilluar një Program Kombëtar Trajnimi dhe Certifikimi të Bazuar në Testim për stafin e shoqërive UK në Shqipëri dhe një program të institucionalizuar që është aktualisht në zbatim.
Anëtarësimi në Koalicionin Bali e bën zërin tonë më të fortë kur mbrojmë nevojën për trajnime në sektorin e ujit dhe është në përputhje me misionin tonë si organizatë profesionale dhe aktivitetet tona në lidhje me trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve.
Për më shumë informacion mbi Koalicionin Bali, mund të shkarkoni Broshurën.